Lali Eri ka deklaruar se Bashkia e Tiranës i ka përfunduar kontratat e rindërtimit nga tërmeti i nëntorit vitin e kaluar.
Në emisonin “H ard Talk” nga Roland Qafoku, Veliaj tha se Bashkia i ka rindërtuar të gjitha banesat e prishura dhe procesi i rindërtimit do të mbarojë deri në fund të vitit. Gjithashtu ai bëri një paralelizëm me SHBA, duke u mburrur se atje shteti i ndihmon qytetarët vetëm në ditët e para me sanduiçë dhe më pas janë kompanitë e sigurimeve që merren me ta.
Ai tha:
Duhet të kuptojmë një gjë. Unë jam rritur pjesën më të madhe të rinisë sime në SHBA. Aty kalonte uragani, ose ndodhte një përmbytje siç ndodhi në Louisiana, pra kur ndodhte një fatkeqësi natyrore, shteti ishte aty ditët e para për një shishe uji, pastaj thoshte është kompania e siguracioneve. Nëse s’je i siguruar ky është problemi yt.
Kështu që ajo që ndodh këtu për një shtet me ekonomi modeste që ka vendi ynë, unë besoj se është realisht e paprecedentë. Unë besoj se është gjëja e duhur dhe e drejtë, ama jo gjëja e zakonshme. Nuk ndodh tipikisht kështu në botë.
Por, kjo është vetëm pjesa e dukshme, pasi pjesa e padukshme e procesit perfshin vlerësimin e demeve, pastaj garën, pastaj prokurimin, e ne fund rindërtimin. E me gjithë këtë burokraci, fakti që brenda vitit ne mbyllëm shtatorin dhe besoj kur të kemi përvjetorin e nëntorit, por definitivisht përpara Vitit të Ri, do të jenë mbyllur banesat individuale, pra e thënë troç shtëpitë mono familjare të fshatit, dhe do të kenë filluar themelet për pallatet. Pra Dikush që e ka humbur shtëpinë në Kinostudio ose në Kombinat dhe pallati i është shpallur i pabanueshem, do të ketë mundësi të thotë se ai apartamenti në anën tjetër të rrugës, për çështje muajsh do të bëhet i imi.