Ky është Eloeni vetëm 8 vjeç, me siguri mekaniku më i vogël i automjeteve. Teksa vizitojmë servisin e familjarëve të tij, habitemi kur dëgjojmë me kureshtje se si ai i njeh në detaje pjesët xhenerike dhe motorike të makinave.
Edhe pse shpenzon shumë kohë në servisin e makinave, Eloeni nuk i ka lënë pas dore mësimet. Ai synon që në të ardhmen të bëhet inxhinier.
“Mua më pëlqen të bëj motorët. Mendoj të bëhem inxhinier mekanik kur të rritem”, thotë Eloeni.
Xhaxhai i 8-vjeçarit i cili ka qenë shtysë për nipin që ky i fundit të apasionohet pas makinave, tregon se me këtë ritëm, një ditë Eloeni do të jetë shumë i aftë në këtë punë.
“Është goxha ndihmë se e ka marrë me qejf punën edhe do bëhet shumë i zoti kur të rritet”, thotë Arben Kaja, xhaxhai i 8-vjeçarit.
Ndryshe nga bashkëmoshatarët që tërhiqen nga teknologjia, Eloeni mezi pret të mbarojë mësimet për të kaluar disa orë në servisin e familjes. Pluhuri, vajrat, grasot e papastëri të tjera që karakterizojnë punën në servis nuk e shqetësojnë aspak Eloenin, i cili me pasionin që ka, i jep shpresë babait dhe xhaxhit të tij se biznesi i tyre do të jetë në duar të sigurta në të ardhmen.