As pandemia dhe kufizimet e udhëtimeve nuk kanë mundur të ndalojnë largimin e shqiptarëve nga vendi.
Shanset për punësim dhe rrjedhimisht një jetë më të mirë janë shtysat kryesore pas këtij fenomeni. Ndërkohë, statistikat tregojnë se gjithnjë e më shumë të rinj po aplikojnë për azil.
30 vjet nga eksodi, Shqipëria vazhdon të zbrazet. Autobusë të mbushur me djem të rinj. Me valixhe e batanije, pa zbardhur dita, lënë terminalin e autobusëve ndërkombëtar dhe nisen drejt Gjermanisë, Italisë, Greqisë.
Nga bisedat më ta kupton se askush nuk udhëton për arsye turistike. Tek-tuk syri të kap ndonjë vajzë apo familje. Pjesa më e madhe janë djem të rinj e burra, të cilët kërkojnë një mundësi punësimi në vendet e BE apo edhe ato të rajonit.
Altin Gashi, përfaqësues i një agjencie udhëtimi tregon se kërkesat për largim kanë ardhur në rritje, pavarësisht pandemisë dhe masave që kanë marrë disa shtete për lëvizjen.
“200-350 vetë nisen tani. Momentalisht kanë dalë 4-5 autobus. Destinacioni Gjermania, Kosova, Italia, normal dalin për të punuar atje. Deri në 1500 lëvizin në ditë, 1000 veta i merr veç Greqia, pastaj lëviz Gjermania Italia, Bullgaria”, thotë Gashi.
Sipas Instat, popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2020 ka pësuar një rënie me 0,6 %, krahasuar me periudhën 1 Janar 2019.
Vitin e kaluar, numri i emigrantëve shqiptarë arriti në 43.835 persona, duke pësuar një rritje prej 13,3 %, krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të Eurostat, 30 mijë e 500 shqiptarë kanë aplikuar për azil nga fillimi i vitit 2019 deri në gusht të 2020. 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë janë persona deri në 34 vjeç.
Departamenti i Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 2100, projekton se popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë.
Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë.