Lajme

Ka ardhur në Shqipëri/ Prek me rrëfimin gazetarja: Kam vënë familjen atje, jam në merak të madh unë ika duke…





29 vjeç, pedagoge e gazetarisë në universitetin e Heratit dhe gazetare. Afgania Ozra Aziz, kishte vetëm pak orë kohë të shpëtonte jetën e saj, të dy djemve të vegjël, bashkëshortit, dhe motrës edhe ajo gazetare.

Kur talebanët morën edhe qytetin e fundit afgan, Kabulin, kompania amerikane për të cilën kishte punuar disa kohë, i telefonoi duke thënë se i kishin siguruar një makinë me të cilën do udhëtonin të sigurt drejt aeroportit “Hamid Karzai”.

Ishte ajo natë, brenda së cilës Ozra humbi gjithçka, shtepinë, punën, nënën, babain, vëllain, të cilët i la pas. Nga dritarja e avionit mes lotëve dallonte bashkëkombasit që kishin rrethuar dëshpërimisht aeroportin, në përpjekje për shpëtuar jetën nga te rrori i talebanëve.

“Talebanët i pashë përreth Kabulit. Ti nuk do ta besosh këtë që të them, por kur i pashë rrugëve i thashë vetes: Po Ozra, tani është çasti që duhet të ikësh. Këtu nuk të ka mbetur më gjë të bësh”,- thotë gjatë intervistës Ozra Haziz për gazetarën e News24, Aurora Golemi.

Po për ata, por edhe se unë kam punuar pedagoge dhe gazetare në disa media të ndryshme në Afganistan. Jeta ime ishte në rrezik dhe përveç kësaj në Afganistan nuk kisha asnjë të ardhme për shkak të talebanëve. Na u desh të linim gjithçka, duhet të iknim për të shpëtuar jetët tona. Bashkëshorti im ka punuar për 14 vite gazetar në media dhe më pas në administratë. Jeta jonë ishte në rrezik të madh. Për shkak të punës sonë ne duhet të iknim.

Çfarë të thonë prindërit në Afganistan?
Nuk është se u besoj fjalëve të tyre, ja sot ndodhi një shpërthim i ri atje, Kur i marr në telefon më thonë: Po jemi mirë, jemi brenda në shtëpi. Babai im nuk shkon më në punë, thotë mirë jam brenda, por si do ta shtyjnë jetën mbyllur për të qenë të sigurt. Jetë është kjo? I marr në telefon u them ku është motra vëllai. Ja në shtëpi jemi të gjithë, por ata duhet të vazhdojnë jetën, duhet të ikin në punë, ca do bëjnë mbyllur…

Si arrite të hipësh në bordin e avionit? Kush të ndihmoi?
Kompania amerikane për të cilën punuam, kishte lidhje me organizatën “Gratë reporterë”. Kam qenë drejtuese atje për 5 muaj isha dhe lidere e grupit për ta. Kompania ime kishte akses për ta na nxjerrë nga Afganistani. Unë jam këtu sepse kompania që kisha punuar na shpëtoi jetët. Ata na transportuan në aeroportin ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul, më pas udhëtuam drejt Abu Dabit, e më pas mbërritëm këtu në Tiranë. Vetëm se ishin ata, ne arritëm të udhëtonim të sigurt.

Pra ju udhëtuat nga aeroporti i Kabulit fillimisht?
Po ne ishim atë kohë në Kabul, por ne jetonim në qytetin e Heratit, që është afër Kabulit. Kur pati trazira ata na telefonuar për të udhëtuar drejt Kabulit. E më pas na sollën këtu.

Por si u futët brenda aeroportit?
Amerikanët arritën ta menaxhonin, na morën me makina drejt aeroportit, dhe vetëm se e kishin planifikuar udhëtimin në këtë mënyrë, ne mundëm të shpëtonim. Ata na lajmëruan që mos të shkonim vetë në aeroport. Unë nuk mund të shkoja dot vetëm drejt aeroportit, kam dy djem të mitur, kisha shumë f rikë mos u ndodhte ndonjë gjë e keqe. U jam mirënjohëse pasi vetëm prej tyre ne mundëm të udhëtonim të sigurt.

A pe talebanë përreth aeroportit? A ishte e frikësuar për jetën tënde dhe për jetën e fëmijëve?
Talebanët i pashë përreth gjithë Kabulit. Ti nuk do ta besosh por kur i pashë ata rrugëve i thashë vetes: Po Ozra, tani është çasti që duhet të ikësh! Se tani asgjë nuk të ka mbetur më!

Ti je kolegja ime, je gazetare, motra juaj gjithashtu është reportere, vetë ke dhënë leksione për gazetarinë. A ishe e terrorizuar nga talebanët? Unë vetë nuk mund ta imagjinoj të punoja reportere në këto momente në Afganistan…
Po e vërtetë, ndoshta shumë persona si doktorët mund të vijojnë punën e tyre atje, ose mësuesit, ata kanë thënë se do lejojnë që gratë të vijojnë punën. Por për mua, profesioni që ushtroja mbaroi përfundimisht. E di pse? Se ata nuk të lënë dhe as besojnë në të drejtën e shprehjes, ata nuk i duan gratë si puna ime të punojnë në këtë profesion. Ata, talebanët, nuk duan tashmë as që meshkujt të punojnë si gazetarë, pra si unë mund të vijoja të ushtroja profesionin tim atje? Unë kam dhënë mësim në klasa të përbashkëta ku kisha djem dhe vajza që mësonin bashkë. Tani talebanët thonë që klasat duhet të ndahen pra vajzat në një klasë dhe djemtë në klasë më vete. Si mund t’ju jepja leksione unë studentëvë për demokracinë, për lirinë e shprehjes. Më thuaj çfarë tu mësoja në auditore? Ja për shkak të kësaj, mendoj se puna ime s’kishte më kuptim, prandaj mu desh të ikja! Gjithashtu mendoj se nëse talebanët besojnë se gratë dhe vajzat duhet të punojnë, ata fillimisht duhet të na pranojnë ne si profesioniste.

Qava…kur po fluturonim mbi aeroportin “Hamid Karzai” po qaja me dënese, sepse çdo njeri që kishte mbetur atje poshtë në aeroport ishte bashkombasit e mi. Po qaja për ta. Por edhe për ato pamje që kisha parë në rrjetet sociale. Gjithmonë lotoja kur i shikoja. Ne ishim të frikësuar për jetët tona. Ata donin të arratiseshin dhe të strehoheshin për të mbrojtur jetët e tyre. Ne jemi këtu, o Zot i madh! Jemi në një vend të sigurt e të mirë tani. Por kjo nuk mjafton aspak! Do më duhen vite të harroj atë që pashë me sytë e mi, atë që ndodhi.

Ne e njohim Afganistanin edhe nga librat e autorit Hosein Kaled, a janë talebanët siç ai i përshkruan apo më keq. A kanë ndryshuar këta talebanë nga talebanët që sundonin vite më parë? Kemi dëgjuar në media që kanë thënë se kanë ndryshuar, që nuk janë të njëjtët si 20 apo 30 vite më parë…
Do më duhet t’iu besoj fjalëve të tyre se kanë ndryshuar, dhe ndoshta kanë ndryshuar. Por ata nuk sillen si një grupim i vetëm, nuk kanë një sistem të tillë që kur dikush thotë ne jemi të tillë, do jemi të gjithë në një mendje. Talebanët nuk janë njerëz të edukuar, të shkolluar, pra unë nuk u besoj fare deklaratave të tyre. Ne e njohim historinë, e dimë çfarë makabritetesh kanë bërë në të kaluarën. Ata tani thonë se kanë ndryshuar, se do pranojnë gratë që punojnë, por unë nuk iu besoj fare.

Thanë që do lejonin vajzat të shkollohen…
Ndoshta i lejojnë në qytetet e mëdha do I lejojnë vajzat të shkollohen, por në zonat rurale dhe shumë të thella vajzat dhe gratë as i dinë fare të drejtat e tyre në radhë të parë. Më thuaj si do i kërkojnë e mbrojnë këto të drejta?

Ke kontakte me koleget e tu? A i ndjek lajmet përmes rrjeteve sociale? Kam parë një gazetar që jepte lajmet ndërkohë pas tij në studio po qëndronin talebanë të armatosur në studio?

Po e vërtetë, ja ky është realiteti i tyre. Çfarë mund të them më tepër…Talebanët nuk i duan njerëzit, ata duan tu fusin tmerrin në çdo kohë. Mendoj se talebanët duhet të jetojnë të paktën 20 vjet nëpër qytete që të mësojnë si jetohet si njeri i civilizuar, të mësojnë si të sillen nëpër qytetet moderne. Unë mendoj se ata si kanë parë më sy ndonjëherë qytetet moderne, ata as që dinë si të sillen në zonat urbane. Duhet të edukohen fillimisht, është një proces kaq i gjatë. Ta thashë më parë, ja pra këtë shkak mu desh të ikja.

Ju tani jeni në Tiranë, çfarë ju kanë thënë do transferoheni në një qytet tjetër?
Ky vendim i takon kompanisë sime, e cila menaxhon gjithçka, kështu që ata ndoshta janë duke planifikuar që të na vendosin në një vend ku te kemi dhe ne një jetë normale. Nesër do na thonë nëse do lëvizim nga këtu.

Pra destinacioni juaj final ku është? Dëshironi që të qëndroni në Shqipëri?
Jo, destinacioni ynë final janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi kompania ime është amerikane. Duhet që të siguroj një jetë më të mirë për djemtë e mi tani e tutje. Njëri është 5 vjeç tjetri është vetëm 2 vjeç e gjysmë. Unë jam këtu sot për shkak të tyre. Unë dua që ata të rriten në paqe, dua që të rriten në një vend të qetë paqësor. Unë vetë jam 29 vjeç.





MË TË LEXUARAT

To Top