Robin Krasniqi ka thënë se triumfi kundër Dominic Boesel për titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë të shtunën, e ka bërë njeriun më të lumtur në botë, saqë edhe sikur të bëjë boks edhe njëmijë herë nuk do të ndihet më mirë.
Boksieri kosovar, i cili lufton nën flamurin gjerman, e mposhti Boselin me një nokaut dërrmues në rundin e tretë në Magdeburg dhe u shpall kampion i përkohshëm i botës në WBA dhe kampion bote në IBO në kategorinë gjysmë të rëndë, raporton Gazeta Express.
E djathta e Krasniqit ishte aq e fortë dhe e shpejtë, saqë boksieri gjerman u rrëzua si një lis i madh dhe koka iu përplas për dyshemeje.
Krasniqi e festoi fitoren më të madhe në karrierë dhe u shpreh tejet i lumtur pas meçit.
“Kjo është dita më e madhe dhe më e bukur në jetën time. Nuk ka para në botë që më bëjnë të ndihem kaq mirë. Mund të bëj boks edhe njëmijë herë të tjera, por kurrë nuk do ta harroj këtë ditë”, tha Krasniqi për ARD pas meçit.
Boksieri nga Kosova, i cili i kishte humbur luftërat për kampion bote në vitet 2013 dhe 2015, ishte kundërshtar zëvendësues i australianit Zac Dunn kundër Bosel.
“Do të festoj deri të zbardhë dita sërish. Faleminderit të gjithë atyre që besuan në mua. Këtë luftë e prita për 15 vjet”, shtoi kosovari. /Gazeta Express/